Një denoncim publik ngre dyshime për pastrim parash dhe kontrabandë ilaçesh te kompania farmaceutike “UniPharma”, me ortakë Artan Gaçin dhe Ilir Shehun. Sipas pretendimeve, në kompani janë derdhur 6 milionë euro pa deklaruar prejardhjen, por këto të dhëna nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet.
Gaçi është ndërtues, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshort i deputetes aktuale të PS-së, Olta Xhaçka, ish-ministre e Mbrojtjes. Sipas aktakuzës së ngritur nga SPAK, çifti ka ndarë edhe interesa ekonomike me karakter korruptiv.
Sipas regjistrave fiskalë të cituar në denoncim, secili nga dy ortakët ka derdhur fillimisht në kompani nga 300 mijë euro. Më pas, pretendohet se janë futur edhe 6 milionë euro të tjera, pa deklaruar prejardhjen, pa paguar dividend dhe pa e vënë shtetin në dijeni. Sipas denoncimit, kjo mund të përbëjë pastrim të produkteve të veprës penale, evazion dhe mosdeklarim origjine.
“UniPharma”, me seli në Kashar, u krijua më 9 tetor 2017, një muaj pasi Xhaçka u emërua ministre e Mbrojtjes. Dy muaj pas emërimit, fondi për furnizimin me ilaçe të shërbimit mjekësor të ushtrisë u rrit me 40 për qind. Kompania kaloi nga një humbje prej 5 milionë lekësh në vitin 2017 në 880 milionë lekë fitim në vitin 2023, ndërsa për 2024 dhe 2025 nuk ka paraqitur bilanc.
Sipas raporteve të agjencive gjurmuese dhe dokumenteve të doganave, “UniPharma” dyshohet se ka sjellë në Shqipëri tri herë më shumë ilaçe sesa ka deklaruar. Agjencia Shtetërore e Barnave pretendohet t’i ketë regjistruar sasitë me dokumente importi të falsifikuara, çka u ka hapur rrugë produkteve drejt farmacive private, skemës së rimbursimit dhe farmacive spitalore.
Shehu, që sipas dokumenteve ka marrë mbiemrin e nënës dhe njihet si Ilir Pasholli, përshkruhet në denoncim si person me precedentë në trafikun ndërkombëtar të drogës, për të cilin është ndjekur nga drejtësia italiane dhe ka vuajtur disa vite burg. Kompania e tij pretendohet se ka fituar 673 tendera në sektorin e shëndetësisë në më pak se shtatë vjet.
Autoritetet italiane kanë nisur hetime ndaj kompanisë “Medicamenta” në Shqipëri, e lidhur me Shehun, për dyshime për kontrabandë ndërkombëtare të ilaçeve. Sipas të njëjtave burime, pala italiane ka kërkuar bashkëpunimin e policisë, doganave dhe SPAK-ut, por institucionet shqiptare nuk kanë njoftuar asnjë veprim konkret. Gjithashtu pretendohet se Shehu është subjekt i një hetimi dhe se pritet një masë ndaj tij ose kompanive të tij.


