Një grup punonjësish të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier pretendojnë se po përballen me presione, pezullime nga detyra dhe kërcënime për largim nga puna. Sipas tyre, kjo ndodh pasi kanë bërë publike rrethanat e vizitës së ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, te kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, që ndodhet në paraburgim.
Një nga punonjësit pretendon se ministri nuk ka mbërritur në burg ashtu siç është përshkruar në disa raportime. Sipas tij, Gogu është marrë nga drejtori i burgut në zonën e fshatit Sheqishtë dhe është shoqëruar në institucion me automjetin e drejtorit. Ai thotë se e ka parë vetë automjetin duke hyrë përmes rrugës që lidh burgun me Sheqishtën, dhe kërkon verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë.
Punonjësi pretendon gjithashtu se ministri kishte veshur rroba sportive dhe kapelë. Ssipas denoncimit, pas publikimit të këtyre detajeve ka nisur një klimë presioni, ndërsa disa kolegë janë pezulluar ose zhvendosur nga pozicionet e tyre.
Denoncuesi thotë se gjatë ditës së sotme në institucion janë paraqitur dy oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët kanë kryer veprime procedurale të dokumentuara ligjërisht. Pas tyre, një tjetër punonjës i Policisë së Burgjeve është pezulluar. Deri tani nuk ka sqarim zyrtar për arsyet e këtyre masave.
Punonjësit ngrenë shqetësime edhe për punën e përditshme në IEVP Fier. Ata pretendojnë se institucioni është i mbingarkuar, se në ambientet e tij hyjnë persona të paautorizuar dhe sende të ndaluara nga rregullat e sigurisë, si dhe se ka parregullsi në regjistra e dyshime për falsifikime në dokumentacion. Sipas tyre, personeli ndihet i detyruar të heshtë dhe të mos denoncojë problemet.
Vizita e Gogut në burgun e Fierit u konfirmua publikisht më 2 nëntor nga vetë ministri. Ai shpjegoi se synonte të njihej me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe të dëgjonte ankesat e tij, dhe mohoi se i kishte përcjellë mesazhe në emër të kryeministrit Edi Rama. Sipas informacioneve të publikuara, takimi u zhvillua në zyrën e drejtorit të burgut dhe ministri kishte marrë autorizimin e SPAK.
Mbeten pa përgjigje pyetje nëse janë pezulluar punonjës pas publikimit të informacioneve, cilat janë arsyet e masave, nëse drejtori e ka marrë ministrin personalisht në Sheqishtë dhe çfarë tregojnë kamerat. Këto pritet t’i qartësojnë Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.


