Një autobot i ngarkuar me naftë, që po udhëtonte nga Durrësi drejt Kosovës, u mbajt i bllokuar katër ditë në Doganën e Morinës dhe më pas u lejua të vazhdonte rrugën. Sipas një denoncimi, rasti ngre dyshime për kontrabandë nafte dhe pyetje për mënyrën si u mbyll procedura pas ndërhyrjes së Zv.Drejtorit të Doganave, Erald Delilaj.
Mjeti u ndalua pasi shërbimet doganore dhe grupi i antikontrabandës tokësore në Morinë konstatuan parregullsi në elementët e sigurisë doganore. Sipas të dhënave të denoncimit, ngarkesa udhëtonte me praktikën e tranzitit nr. 5271, datë 28 gusht 2026, me autobotin me targa AB73*ZH / 0541*XC. Mjeti transportonte gasoil, me pronar të deklaruar të ngarkesës shtetasin kosovar Burim V., ndërsa e drejtonte shoferi Vjonis B.
Parregullsitë u evidentuan te plumbçet doganore me numra 26ALP1103185 dhe 26ALP1103186. Doganierët që i konstatuan e referuan çështjen te Departamenti Operativ Hetimor, përmes Sektorit të Monitorimit, dhe vunë në dijeni Drejtorinë e Hetimit.
Plumbçet shërbejnë për të garantuar që malli nuk është hapur apo ndryshuar gjatë tranzitit, ndaj shkelja e tyre kërkon verifikim të integritetit të ngarkesës. Në të kundërt, situata mund të tregojë për kontrabandë nafte.
Megjithatë, autoboti qëndroi i bllokuar katër ditë dhe më pas iu lejua të vijonte udhëtimin. Denoncimi vë në pikëpyetje mënyrën se si përfundoi procedura pas ndërhyrjes së Delilajt.
Kërkohet të verifikohet dokumentacioni i procedurës, veçanërisht nëse shkelja u konstatua zyrtarisht, çfarë masash u morën dhe mbi çfarë baze u lejua vijimi i tranzitit. Pyetjet që mbeten pa përgjigje janë: kush autorizoi lirimin e mjetit pas katër ditësh, a u krye kontroll fizik i plotë i ngarkesës, a u verifikua sasia e naftës dhe ku ndodhen procesverbalet e akteve përfundimtare. Përgjigjet pritet t’i japë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave së bashku me organet kompetente të hetimit.
Rastet e dyshuara të kontrabandës së naftës nga Shqipëria drejt Kosovës, përmes Morinës, janë denoncuar vazhdimisht në mediat e të dy vendeve.

