Një qytetar ka dalë para degës së Raiffeisen Bank në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë dhe ka akuzuar institucionin financiar për zhdukjen e parave nga llogaria e tij. Sipas tij, shumat janë tërhequr pa autorizim në dy raste të ndryshme dhe banka nuk ia ka zëvendësuar të gjithë dëmin.
Protesta e tij u zhvillua në një kohë kur policia po kryente veprime hetimore në të njëjtin filial, për një grabitje me armë të raportuar atje.
Qytetari tregoi se herën e parë kishte vënë re mungesën e 23 eurove. Pasi u ankua te punonjësit e bankës, thotë se iu tha që shuma do t’i kompensohej.
Disa muaj më pas, sipas tij, nga llogaria u zhdukën 7 mijë euro. Banka i ka rimbursuar 3 mijë euro, ndërsa 4 mijë të tjerat nuk i janë kthyer. Ai deklaroi se prej dy vitesh përpiqet t’i marrë këto para, por pa rezultat, dhe pretendon se punonjësit nuk e lejojnë më të hyjë në bankë.
“Këtu më kanë vjedhur mua llogarinë time. Kam shkuar, i kam njoftuar bankierët për herën e parë që më kanë vjedhur 23 euro. Bankierët më kanë thënë që do të kompensojmë. Pas një kohe tremujore më grabitën vlerën 7 mijë euro. Më kompensuan 3 mijë euro, më thanë do të kompensojmë edhe 4 mijë euro. Ku janë paratë? Kam dy vjet që vij vërdallë”, deklaroi ai.
Qytetari tha se ka kërkuar zgjidhje edhe pranë institucioneve të drejtësisë, por nuk ka marrë përgjigje. “Kjo bankë, sa të më shohë te dera, nuk më lënë të hyj brenda. Ku të ankohem, më thoni ju? Shkoj te drejtësia, drejtësia ngre duart lart”, u shpreh ai për “Syri Tv”.
Ai paralajmëroi se do t’u bashkohet protestave, duke e lidhur këtë me pakënaqësinë për mënyrën si, sipas tij, po trajtohet ankesa e tij.


