Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës të së shtunës në Tiranë, ku studentët kundërshtuan praninë e deputetëve demokratë dhe kërkuan largimin e tyre. Në një deklaratë, ai përgëzoi studentët dhe gjimnazistët për qëndresën dhe sulmoi kreun e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori.
Berisha vlerësoi pjesëmarrjen e të rinjve dhe qëndrimin e tyre përballë ndërhyrjes së Policisë. Ai përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për krijimin e një qeverie kujdestare, që sipas tij do të bënte të mundura zgjedhje të lira e të ndershme.
“Trimëria, vendosmëria e studentëve të revoltuar dhe gjimnazistëve mposhti në të gjitha rastet sulmet e egra të narkobanditëve”, tha Berisha.
Ai ftoi çdo qytetar dhe forcat politike të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore.
Akuza për përçarje të protestës
Pjesa më e ashpër e reagimit lidhej me largimin e deputetëve demokratë. Berisha pretendoi se pas kësaj qëndronte një përpjekje e Ramës për ta përçarë tubimin dhe drejtoi gishtin nga aktivistët e Qorit, të cilët i cilësoi “Jago të revoltës studentore”.
Ai pretendoi gjithashtu se në këtë përpjekje ishin përfshirë persona të angazhuar nga Policia, por se ata “morën përgjigjen e merituar”.
Përplasja e së shtunës tregoi qëndrime të ndryshme mes grupeve politike dhe aktivistëve në protestën studentore. Të rinjtë kërkuan që tubimi të ruajë karakterin studentor dhe të mos kthehet në aktivitet partiak.

