Administratori i ri i Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës, Albi Lika, ka emëruar në drejtimin e departamenteve të kategorisë së parë Tonin Dodën dhe Olsen Kavallin. Doda është arrestuar në vitin 2015 për tendera, ndërsa Kavalli ka drejtuar më parë ujësjellësin dhe është lakuar për procedura të dyshimta prokurimi.
Lika u prezantua si administrator i ri nga drejtori i përgjithshëm i AKUK, Fludian Çuka, disa ditë më parë. Ai është bashkëpronar i kompanisë ELECTRICAL & IT SOLUTION, që operon në shërbime, projektim, kolaudim, mbikqyrje dhe instalime elektrike. Kompania rezulton të ketë fituar gjashtë tendera publikë, kryesisht në Portin e Durrësit.
Pretendohet se Lika mund ta përdorë postin për të nxitur punët e kompanisë së tij me para publike, përmes nënkontraktimit nga firmat që do të përfitojnë tendera. Një skemë e tillë i atribuohet ish-drejtorit Spartak Kovaçi, i cili paratë i orientoi drejt kompanisë Adriatik shpk, në emër të babait të tij, Petrit Kovaçi. Lika zëvendësoi Migen Dukën, që qëndroi në detyrë rreth dy muaj.
Para Dukës drejtor ishte Olsen Kavalli, i larguar për tendera të dyshimtë dhe për provokimin e falimentimit të ujësjellësit. Disa sinjalizime pretendojnë se ai e vendosi Dukën në krye për të vijuar punët dhe për të finalizuar disa afera të dyshuara.
Në krye të ujësjellësit kanë qenë edhe Aranit Gelaj, Sedi Çaushi, Gerald Dautaj dhe Spartak Kovaçi, me rotacion mes tyre. Kovaçi akuzohet se ka vepruar me tenderat bashkë me një rreth klientësh dhe ortakë me babanë e tij. Sipas burimit, këta persona janë pjesë e të njëjtit grup interesash, gjë që konfirmohet nga vendimet e para të Likës.
Lika ka firmosur emërimin e Tonin Dodës drejtor Departamenti Kategoria 1, nga drejtor i Drejtorisë së Grumbullimit të Ujërave të Ndotur. Sipas një sinjalizimi, Doda mbante njëkohësisht postet e drejtorit të mirëmbajtjes dhe të kanalizimeve, dhe deri pak javë më parë edhe atë të kryeinxhinierit.
Në vitin 2015, Gjykata e Durrësit caktoi masën “arrest me burg” ndaj Dodës dhe ish-drejtorit teknik Franc Stajka, pas kërkesës së Prokurorisë. Ata dyshoheshin për “shpërdorim detyre”, pasi si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kishin paracaktuar fituesin e disa procedurave për furnizimin me ujë dhe rikonstruksionin e rrjetit në Spitallë-Porto Romano-Bisht Pallë, Shkozet dhe Sukth.
Lika ka emëruar drejtor Departamenti Kategoria I edhe Olsen Kavallin, që ka qenë administrator dhe drejtor i ujësjellësit. Kavalli kishte hapur një tender prej 300 mijë eurosh për rrjetin e ujit dhe kanalet e ujërave të zeza të Marinës së Durrësit, të biznesmenit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar. Pretendohet se grupi i ujësjellësit është pjesë e një karteli interesash që ka aplikuar skema përmes kompanive në emrin e tyre dhe kryesisht të prestanomeve.


