e diel, 1 nëntor 2026 1 denoncim këtë javë Lajmi siç është
Investigime

Tatimet bllokojnë aksionet e Qinglong Petroleum, kompani e përmendur në hetimin për Bankers Petroleum

Administrata tatimore ka bllokuar tjetërsimin e aksioneve të Qinglong Petroleum për detyrime të papaguara. Emri i kompanisë shfaqet në hetimin e Prokurorisë së Fierit për Bankers Petroleum.

Ndërtesë zyrash me dokumente tatimore mbi tavolinë

Kompania “Qinglong Petroleum”, dega shqiptare e një shoqërie nga Hong Kongu, është vënë nën sekuestro nga administrata tatimore, sepse nuk ka shlyer detyrime fiskale prej të paktën 100 milionë lekësh të vjetër. Emri i saj shfaqet edhe në hetimin e Prokurorisë së Fierit për koncesionarin e naftës “Bankers Petroleum”.

Më 12 tetor 2026, administrata tatimore i kërkoi Qendrës Kombëtare të Biznesit të vendoste masën e sigurimit dhe të mos lejonte tjetërsimin e aksioneve të shoqërisë “Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLP Albania Branch”. Sipas dokumentit, kompania, me administrator Junlin Sheng, ka një detyrim të pashlyer prej 10.788.188 lekësh të reja.

Në shkresën e Tatimeve thuhet se kompanisë i është dërguar njoftimi për pagimin e detyrimit, por ai nuk është paguar. Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara kërkon që të mos lejohet tjetërsimi i pasurive, i të drejtave të tjera pasurore dhe i kuotave a aksioneve, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve.

“Qinglong Petroleum” është regjistruar në Shqipëri në dhjetor 2023, si degë e shoqërisë “China International Zoom Material Co Limited” nga Hong Kongu. Administratorë dhe përfaqësues ligjorë janë Jiang Yijun dhe Junlin Sheng.

Prokuroria e Fierit nisi hetimet në dhjetor 2024 për vepra të tilla si fshehja e të ardhurave, pastrimi i produkteve të veprës penale, shpërdorimi i detyrës dhe moskryerja e detyrave nga organet tatimore. Në qendër të hetimit është veprimtaria financiare e “Bankers Petroleum” së paku nga viti 2015. Prokurorët dyshojnë se koncesionari ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet për të shmangur detyrimet ndaj shtetit. Figura kryesore e hetimit është ish-administratori i kompanisë, Leonidha Çobo.

Gjatë hetimit u ngritën dyshime se pjesa më e madhe e zinxhirit drejtues të “Bankers Petroleum” ishte përfshirë në një skemë pastrimi parash me miliona euro, edhese shuma e saktë nuk është përcaktuar. Prokuroria identifikoi shumë kompani që dyshohet se kanë shërbyer si “pastrues” të parave të koncesionarit, mes tyre edhe “Qinglong Petroleum”.

Në dosjen e paraqitur në gjykatë në korrik 2025, për arrestimin e të paktën 14 personave shqiptarë e të huaj, thuhet se pronari përfitues i kompanisë është “China International Zoom Material Co. Limited”, me seli në Hong Kong, “një juridiksion që shpesh përdoret për strukturim korporativ me qëllime të errëta fiskale ose ligjore”.

Sipas të dhënave të hetimit, kompania fillimisht kishte vetëm administratorin të punësuar. Në vitin 2024 stafi u shtua në 24 persona, kryesisht nga Kina, dhe 10 prej tyre nuk kanë qenë asnjëherë në Shqipëri, megjithëse janë paguar rregullisht. Po atë vit kompania siguroi fitim prej rreth 1.3 milionë eurosh, me klientë “Bankers Petroleum” dhe “Albdrilling”, e cila dyshohet se është pjesë e skemës së njëjtë.