e mërkurë, 4 nëntor 2026 4 denoncime këtë javë Lajmi siç është
Investigime

Biznesmeni i akuzuar në çështjen Veliaj fiton tenderin për spitalin e të sëmurëve mendorë në Shënkoll

Bashkimi i operatorëve me në krye "Agi Kons", pronësi e Gentian Sulës, fitoi tenderin për spitalin në IEVP Shënkoll. Sula akuzohet nga SPAK për korrupsion aktiv në dosjen ndaj Erion Veliajt.

Godinë ndërtimi në proces me vinça dhe skela

Një bashkim operatorësh i udhëhequr nga kompania e ndërtimit “Agi Kons”, pronar i së cilës është Gentian Sula, ka fituar tenderin për ndërtimin e spitalit për personat me mjekim të detyruar në IEVP Shënkoll, në Lezhë. Sula akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion aktiv në dosjen ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

Për veprën e “korrupsionit aktiv të të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, ligji përcakton dënim nga një deri në pesë vjet burg. Akuza ende duhet të vërtetohet nga gjykata.

Rezultatet e tenderit u shpallën pak ditë më parë nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Fondi limit ishte 1 miliard lekë të reja, afërsisht 11.4 milionë euro. Fitues u shpall grupi i përbërë nga “Agi Kons”, “Colombo” dhe “Deha”, me ofertën prej 786.717.225 lekësh të reja. Më parë u skualifikuan katër kompani të tjera që kishin paraqitur vlerë më të ulët, pasi sipas autoritetit kontraktor nuk plotësonin kriteret kualifikuese.

“Agi Kons” është regjistruar në vitin 2002 dhe për një periudhë të gjatë ka qenë në pronësi të Gentian Sulës si individ. Në dhjetor 2024, aksionet iu kaluan shoqërisë “UK Development Holding Limited”, të regjistruar në Britaninë e Madhe. Nga dokumentet rezulton se pronari fundor i saj është përsëri Sula.

Akti i dorëzuar në QKB thotë se ortaku i vetëm miratoi shkëmbimin e kuotës me shoqërinë angleze, në vlerë 12.652.449 paundë, kundrejt 100% të kapitalit të “Agikons” shpk, prej 1.501.000.000 lekësh. Në përfundim të transaksionit, sipas aktit, ortak i vetëm do të ishte Gentjan Sula.

SPAK pretendon se Sula ka tentuar të fshehë një apartament të padeklaruar, në pronësi reale të Veliajt, dhe se ka pasur marrëdhënie korruptive me të në këmbim të lejeve të ndërtimit. Hetimi nisi nga të dhënat e mobilierit Arlind Kodra, i cili kishte shënuar në kompjuter punime për Ajola Xoxen, bashkëshorten e Veliajt, me emërtimin “kati lart”. Ai deklaroi se në vitin 2021 ishte shoqëruar nga ajo në një apartament mbi banesën e saj në Kodrën e Diellit, ku kishte ndërtuar vetëm një dollap.

Më 14 prill 2025, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen kontroll në apartamentin e katit të pestë. Kodra, kur iu paraqitën fotot, tha se dollapi ishte ai që kishte bërë. Prokurorët rishikuan më pas komunikimet e sekuestruara dhe gjetën mesazhe mes Xoxes dhe arkitektit Olsi Eftimi, për mundësinë e shkallëve të brendshme që do të lidhnin dy apartamentet.

Eftimi ka pranuar se shkoi në apartament, por vetëm për rregullime, pasi pikonte ujë në tavanin e shtëpisë së Xoxes. SPAK thotë se ka të dhëna të tjera që e çojnë në bindjen se apartamenti është pasuri e fshehur e Veliajt dhe Xoxes.