Komisioni Europian ka evidentuar probleme në sigurinë ushqimore në Shqipëri, nga puna e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) te kontrollet, pesticidet dhe laboratorët. Kjo përfshihet në kapitullin 12 të raportit të vitit 2026, kushtuar sigurisë ushqimore, politikave veterinare dhe fitosanitare. Brukseli kërkon edhe më shumë masa për të ndaluar korrupsionin gjatë inspektimeve dhe certifikimeve.
Sipas raportit, legjislacioni shqiptar është vetëm pjesërisht i përafruar me standardet e BE-së. Kuadri ligjor për sigurinë e përgjithshme ushqimore është pjesërisht në linjë me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Ushqimin, ndërsa Ligji për Kontrollet Zyrtare u miratua në qershor 2026.
Komisioni kërkon reforma institucionale, veçanërisht bashkimin e AKU-së me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Sipas tij, detyrat e inspektimit mes AKU-së dhe Inspektoratit të Përgjithshëm duhet të ndahen më qartë. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për statistikat e inspektimeve, administrimin e të dhënave dhe transparencën, si dhe burime të mjaftueshme administrative e financiare.
Për laboratorët, raporti thotë se ata zyrtarë ende nuk janë përcaktuar sipas parimeve të rregullores për kontrollet zyrtare. Duhet të vendosen metoda të validuara analizimi për të garantuar besueshmërinë e rezultateve, ndërsa kërkohen përpjekje për kapacitetet, akreditimin dhe validimin e metodave. Komisioni kërkon gjithashtu forcimin e kontrolleve kufitare, me pika kontrolli të përafruara me kërkesat e BE-së në momentin e anëtarësimit.
Për mbetjet e pesticideve, Shqipëria duhet të përmirësojë zbatimin e masave në rastet e mospërputhshmërisë dhe të rrisë transparencën, si dhe të forcojë monitorimin. Raporti kërkon edhe një program kombëtar për përmirësimin e cilësisë së qumështit dhe thekson se nuk ka përparim për rregullat e ushqimit të kafshëve.
Në sektorin veterinar, gjurmueshmëria e kafshëve, mbikëqyrja e sëmundjeve dhe kapacitetet laboratorike për patogjenë të veçantë nuk janë zhvilluar plotësisht. Sipas Komisionit, kjo ul aftësinë për të zbuluar herët rreziqet dhe për të vendosur përparësi te kontrollet. Shqipëria nuk ka ngritur ende sistem sipas kërkesave të BE-së për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Një vëmendje të veçantë raporti i kushton rrezikut të korrupsionit në inspektimet veterinare dhe fitosanitare. Shqipëria duhet të vijojë të forcojë transparencën dhe llogaridhënien, si dhe masat që garantojnë integritetin e inspektimit dhe certifikimit.


