e mërkurë, 4 nëntor 2026 4 denoncime këtë javë Lajmi siç është
Lajme

Pasuritë e sekuestruara rrezikojnë t’i kthehen krimit, vë në dukje kontrolli i Kuvendit për zbatimin e ligjit

Raporti i kontrollit post-legjislativ të Kuvendit rendit mangësi në zbatimin e ligjit anti-mafia, nga ankandet te varësia nga autoritetet e huaja.

Ndërtesa e Kuvendit të Shqipërisë

Ligji anti-mafia zbatohet me të meta të rënda dhe pasuritë e konfiskuara mund të përfundojnë sërish në duart e krimit të organizuar. Kjo përfundim buron nga një raport i kontrollit post-legjislativ të Kuvendit të Shqipërisë, i siguruar nga VNA.

Sipas dokumentit, kuadri ligjor e drejton administrimin e pasurisë së konfiskuar kah shitja në ankand, me synim të ardhurat për buxhetin e shtetit. Kontrolli paraprak i përfituesve nuk është i mjaftueshëm, çka krijon “rrezik që pasuritë të rikthehen në mënyrë të tërthortë tek personat ndaj të cilëve janë zbatuar masat e konfiskimit”. Raporti vë në dukje edhe mungesën e një regjistri publik transparent dhe të përparësisë së detyrueshme për ripërdorimin social të pronave.

Konfiskimet përfundimtare mbeten të pakta krahasuar me sekuestrimet paraprake. Në periudhën 2021-2025, Gjykata e Posaçme ka dënuar dhjetëra persona sipas nenit 259 të Kodit Penal, por procedurat pasurore parandaluese për korrupsionin janë “tepër të kufizuara”, me vetëm një rast të evidentuar procedimi pasuror.

Raporti thekson edhe pabarazinë gjeografike në zbatim. “Tetë gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm të konsultuara nuk kanë evidentuar kërkesa për sekuestrim ose konfiskim sipas këtij ligji”, thuhet aty. Pra, barra mbetet te struktura e posaçme në qendër, ndërsa prokuroritë dhe gjykatat e rretheve nuk përfshihen.

Rreth 55% e procedimeve pasurore për veprat e neneve 283, 283/a dhe 284/a të Kodit Penal janë nisur mbi bazën e indicieve nga autoritete të huaja. Kjo tregon varësi nga sinjalizimet ndërkombëtare, ndërsa hetimet vendase pengohen nga informaliteti ekonomik.

Edhe pse ligji parashikon procedurë pasurore autonome, që nuk varet nga dënimi penal, raporti konstaton se në të gjitha rastet e evidentuara procedimi pasuror ka ecur i lidhur me një proces penal ekzistues ose me vendime penale të mëparshme. Në fund, dokumenti rendit sfida të tjera: mungesën e të dhënave në kohë reale për llogaritë bankare, të sistemeve statistikore të unifikuara si CAMS dhe të një mekanizmi për administrimin e aseteve virtuale e kriptovalutave.