Më 26 janar 2023, në kontrollin në aeroportin e Rinasit, u kap në flagrancë shtetasi Jerome Ndo Mih, me 42.300 euro të fshehura në bagazhe. Rasti përmendet në kuadër të dyshimeve për pastrim parash që rrethojnë Fondacionin “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shqipëri.
Ndo Mih, i datëlindjes 28.09.1973, i lindur në Kamerun dhe banues në Tiranë, po përgatitej të udhëtonte drejt Romës. Gjatë kontrollit fizik, në valixhe dhe në çantën e dorës iu gjetën paketa me para, të futura në zarfe. Ai u shoqërua në komisariatin e Policisë së Rinasit.
Ndo Mih është president i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Pretendohet se ai e mbylli çështjen penale me dallavere dhe se vijoi të nxirrte para nga Shqipëria me çanta. Universiteti nuk ka lidhje me Kishën Katolike, përveç emrit, dhe është një universitet privat. Numri i madh i studentëve italianë në mjekësi shpjegohet me faktin se ata nuk e kalojnë testin e pranimit në Itali dhe kërkojnë një titull të vlefshëm në BE.
Sipas akteve dhe rrethanave, përfshirë një operacion policor, hetime dhe një dosje penale në Itali, fondacioni dyshohet si një nga skemat më okulte të pastrimit të parave. Pretendohet se, me emrin e bamirësisë, të Nënë Terezës dhe të Kishës Katolike, janë zhdukur miliona euro në Tiranë me projekte fiktive dhe skema mashtrimi.
Me fondacionin lidhen Universiteti Katolik, Qendra e Rehabilitimit dhe Mjekësisë Sportive, OJF Dokita, Poliambulanca dhe depoja farmaceutike IDIAL. Ato dyshohen për pastrim parash, evazion fiskal, mashtrim, devijim fondesh dhe përvetësim pasurish publike. Pretendohet se për tri dekada fondacioni ka qarkulluar miliona euro, ka përfituar prona dhe para publike dhe nuk ka paguar taksa, ndërsa kupolën drejtuese e fsheh.
Në universitet pretendohet se është përfshirë edhe deputeti i PD-së Tritan Shehu, i cili krahas pagës prej rreth 30 mijë euro si ligjvënës deklaron rreth 44 mijë euro në vit nga biznesi i priftit. Universiteti është pjesë e fondacionit, me president Padre Binu Peediyeckal Devassia, i cili nuk shfaqet në publik. Fondacioni karakterizohet nga mungesa e transparencës, ndërsa paratë pretendohet se lëvizin nga Tirana drejt llogarive offshore.


