Eurojust dhe Europol kanë mbështetur një operacion ndërkombëtar kundër një rrjeti të dyshuar për mashtrime financiare, i cili ka rezultuar me arrestimin e shtatë personave në Kosovë. Ndaj tyre është kërkuar ekstradimi në Gjermani.
Sipas të dhënave të Eurojust, grupi dyshohet se ka mashtruar qytetarë me skema investimesh online. Dëmet financiare llogariten në mbi 4 milionë euro.
Në fazën e fundit të aksionit u kryen kontrolle në 17 ambiente dhe u sekuestruan mbi 100 serverë. Dyshohet se ata kanë shërbyer për funksionimin e infrastrukturës teknologjike të rrjetit.
Hetimet kanë evidentuar edhe një kompani me lidhje në Qipro dhe Izrael. Ajo dyshohet se u ofronte grupeve kriminale shërbime të gatshme për ngritjen dhe administrimin e platformave mashtruese. Skema funksiononte sipas modelit “Crime-as-a-Service”, ku subjekte të specializuara u vënë në dispozicion kriminelëve teknologjinë, faqet e internetit dhe mjetet e nevojshme.
Dyshohet se klientë të kësaj kompanie në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë përdorur qendra telefonike (Call Center) për të kontaktuar viktimat dhe për t’i orientuar drejt platformave të rreme. Përmes tyre, qytetarët bindeshin të investonin para, duke u krijuar përshtypja se përfitonin nga mundësi reale financiare.
Autoritetet e Kosovës konfirmuan se aksioni u zhvillua në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare. Deri tani nuk janë bërë publike të gjitha detajet për identitetin e të arrestuarve dhe për subjektet e kontrolluara në Kosovë.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar mënyrën e funksionimit të rrjetit, përmasat e aktivitetit dhe rolin e personave apo kompanive të përfshira në këtë skemë ndërkufitare.


