Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) të vijojnë rolin e tyre në çështjet e Vetingut, ndonëse mandati i tyre në Shqipëri ka përfunduar me mbylljen e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimi është marrë me shumicë votash dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Më 2 nëntor 2026, Gjykata miratoi Rregulloren “Për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese gjatë shqyrtimit të çështjeve të juridiksionit të rivlerësimit”, së bashku me një Aneks të Posaçëm. Neni 5 i tij parashikon rolin e vëzhguesve të ONM-së si monitorues dhe mbikqyrës. Ata kanë të drejtë të aksesojnë dosjet, të paraqesin gjetje dhe të ndjekin fazat e shqyrtimit, përfshirë diskutimet në dhomë këshillimi, ku zakonisht marrin pjesë vetëm gjyqtarët.
Aneksi u miratua me votat e shtatë gjyqtarëve: kryetares Fiona Papajorgji dhe anëtarëve Sandër Beci, Gent Ibrahimi, Ilir Toska, Marsida Xhaferllari, Asim Vokshi dhe Marjana Semini. Kundër votoi vetëm gjyqtarja Sonila Bejtja. Shumica argumentoi se ekspertët do të ndihmojnë në çështjet e Vetingut të kthyera nga Strasburgu ose në kërkesat për rishikim nga magjistratët e shkarkuar.
Vendimi vjen ditë pasi Komisioni Europian, në Progres-Raportin 2026 të prezantuar më 4 nëntor në Bruksel, theksoi se rivlerësimi kalimtar ka përfunduar plotësisht. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se procesi forcoi pavarësinë, llogaridhënien dhe integritetin në drejtësi.
Procesi i Vetingut u mbyll zyrtarisht më 17 qershor 2026 me ceremoninë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Gjatë viteve 2019-2026 u larguan 442 magjistratë me shkarkim ose dorëheqje, mbi 55 përqind e atyre në detyrë, ndërsa 363 u konfirmuan. ONM-ja, e paguar nga Komisioni Europian, ishte caktuar të vepronte deri në përfundim të procesit dhe maksimalisht deri më 30 tetor 2026.
Sipas informacioneve, Agnes Bernhard, drejtuese e projektit “JUSTAL” të financuar nga BE-ja, i ka dërguar Gjykatës një kërkesë-sugjerim për të vlerësuar bashkëngjitjen e ekspertëve të ONM-së. Parlamenti nuk e ka shfuqizuar ende Aneksin kushtetutar për Vetingun, gjë që pretendohet se është shfrytëzuar për këtë qëllim.
Avokati Eduart Halimi, ish-deputet i opozitës, e kishte paralajmëruar zhvillimin më 28 tetor. Ai shkroi në rrjete sociale: “Nuk mund të krijojmë një KPA të re brenda Gjykatës Kushtetuese!”. Sipas tij, ONM-ja e ka përfunduar funksionin, ndërsa EU4Justice duhet të vijojë.
Delegacioni i BE-së në Tiranë u pyet nëse ishte në dijeni të vendimit dhe nëse ka dhënë pëlqimin për vijimin e pagesës prej rreth 20 mijë euro në muaj për përfaqësuesit ndërkombëtarë. Deri në publikimin e lajmit nuk ka dhënë përgjigje.


