Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, duke vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes. Prokuroria e Posaçme dyshon se të paktën dy shtetas izraelitë mund ta kenë ndihmuar të largohej nga vendi për t’iu shmangur hetimit penal.
Hyseni hetohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit hetimor”, në kuadër të dosjes “AKSHI”. Në dosje thuhet se komunikimet e ndërmjetësuara nga Ergys Agasi me shtetas të huaj, të identifikuar me pseudonimet Shalev Israel dhe Srulik Einhorn Koces, tregojnë praninë e një rrjeti ndërkombëtar në shërbim të interesave të grupit kriminal. Sipas prokurorisë, ky rrjet rrit rrezikun që Hyseni, po të mbetej e lirë, të kishte akses te kanale largimi ose fshehjeje jashtë kontrollit të organeve procedurale.
Materialet hetimore nuk japin detaje të tjera për dy personat. Prokurorët e posaçëm mendohet se disponojnë më shumë të dhëna për komunikimet dhe rolin e tyre, të cilat i kanë përdorur si argument për masën e sigurimit.
Hyseni u vendos në arrest në shtëpi më 22 shtator 2026, pas hetimeve të nisura më herët për “grup të strukturuar kriminal” ndaj disa personave, mes tyre Agasit. Ai u arrestua më 26 gusht, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme të lëshuar në dhjetor të vitit të kaluar. Agasi dyshohet se, së bashku me ish-drejtuesen e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, zëvendësen e saj Hava Delibashi, biznesmenin Ermal Beqiri dhe persona të tjerë, ka formuar grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave me vlerë miliona euro për pajisje dhe programe kompjuterike publike.
Sipas SPAK-ut, Agasi qëndroi më shumë se 10 muaj në arrati, pjesërisht me mbështetjen e Hysenit. Pas arrestimit, prokurorët ekspertuan telefonat e tij dhe zbuluan lidhje të ngushtë personale mes tyre, si dhe angazhimin e Hysenit për ta ndihmuar që t’i shmangej arrestimit.
Në dosje thuhet se në “Signal” Agasi ka komunikuar vazhdimisht nga 28 qershori deri më 26 gusht 2026 me një përdorues me numër kosovar. Identifikimi si Hyseni mbështetet te kontrolli i kryqëzuar me “Viber”, ku numri figuron me emrin “Vlora” dhe me fotografi me veçori të ngjashme fizike. Agasi e kishte ruajtur kontaktin me inicialet “V H”, ndërsa nga përmbajtja e bisedave rezulton se përdoruesi është nga Kosova, punon në Tiranë dhe ka takime të shpeshta me Kryeministrin. Prokuroria thotë se Hyseni ka konfirmuar vetë se është përdoruese e numrit dhe se ka komunikuar me Agasin përmes “WhatsApp” dhe “Signal”.
Në intervistën në SPAK, pak ditë para masës së sigurimit, Hyseni deklaroi: “Unë kam pasur komunikim me z. Agasi, pasi ai më ka ofruar që të bëhet bashkëpunëtor, por nuk e kam takuar fizikisht dhe as nuk i kam dhënë informacione sekrete”. Prokurorët nuk e besuan këtë version dhe vlerësojnë se Agasi nuk është në rolin e bashkëpunëtorit, por “është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë”.


