Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka folur gjerësisht për herë të parë pas një heshtjeje të gjatë, duke pretenduar se çështja e tij penale u trajtua me standard më të ashpër se rastet e tjera të zyrtarëve. Në një intervistë për gazetaren Anisa Bahiti në emisionin “On the Road”, ai u ndal te mosekstradimi nga Italia, dënimi në Shqipëri, shpallja “non grata” nga SHBA-ja dhe Reforma në Drejtësi.
Për vendimin e Gjykatës së Romës që nuk e ekstraduan, Llalla pretendoi se autoritetet italiane kanë marrë parasysh rrethanat e dënimit, si dhe gjendjen e tij të rëndë shëndetësore. Ai e krahasoi rastin me fatin e babait, që gjatë komunizmit ishte dënuar si agjent i CIA-s. “Sa i përket babait, sikur na ka ndjekur i njëjti fat”, tha ai.
Llalla tha se procesi ndaj tij nuk ka qenë i paanshëm. Sipas tij, në raste të tjera zyrtarësh janë dhënë gjoba, dënime me kusht apo masa alternative, ndërsa ndaj tij burgim. “Kjo më krijon bindjen edhe më të madhe se rasti im është një rast i veçantë, i trajtuar në mënyrë paragjykuese”, deklaroi ai.
Ish-kryeprokurori pranoi se ashpërsimi i ligjit për mosdeklarimin e pasurisë, me burgim deri në tre vjet, ishte kërkuar prej tij kur drejtonte Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Pastaj u dënua vetë për këtë vepër penale. “E respektoj vendimin e gjykatës, pavarësisht mendimeve të mia”, tha ai.
Për Reformën në Drejtësi, Llalla tha se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve, por ka marrë pjesë në tryeza diskutimi. Ai pretendoi se mendimi ndryshe nuk vlerësohet dhe se decentralizimi i prokurorisë ka sjellë mosfunksionim të punës së institucionit.
Për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Llalla tha se ishte procedim normal dhe jo përndjekje politike. Ai mohoi se ka pasur presion nga mazhoranca apo opozita, duke thënë se është zgjedhur me pëlqimin e të dyja palëve.
Lidhur me shpalljen “non grata” nga SHBA-ja, ai vuri në pikëpyetje arsyet e vendimit dhe nuk përjashtoi ndikimin e përplasjeve me ish-ambasadorin Donald Lu, sidomos për Reformën në Drejtësi. Sipas tij, hetimet nisën pas mandatit dhe fillimisht përfshinin edhe korrupsionin, por çështja përfundoi te mosdeklarimi i pasurisë. Llalla tha se iu drejtua Departamentit të Shtetit dhe se përgjigjja nuk e bindi. Për Lun tha se nuk dëshiron të rikthehet në atë debat.
Në fund, ai e quajti “totalisht të padrejtë” vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Pretendimet dhe akuzat në intervistë janë të ish-kryeprokurorit.


