Kompania Balkan Energy DMCC ka paguar 1.7 milionë dollarë vitin e kaluar për shërbime lobimi në Shtetet e Bashkuara te firma Ballard Partners. Pas saj qëndron familja e biznesmenit shqiptar Besnik Sulaj, i njohur publikisht si “Beso i Tajvanit”, të cilin opozita e ka denoncuar për lidhje të ngushta me kryeministrin Edi Rama.
Paratë u derdhën përmes Dubait, por ligjet amerikane për lobimin kanë kërkuar publikimin e pronarëve fundorë. Kompania lidhet me shoqërinë Balkan Energy sha, të regjistruar në Tiranë. Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, pronar i vetëm me 100% të aksioneve është Skënder Sulaj, vëllai i Besnik Sulajt.
Historiku i regjistrimeve tregon se Besnik Sulaj ka qenë administrator i kompanisë gjatë gjithë vitit 2025, kur u bënë pagesat për lobim. Administrimin ai e la zyrtarisht në prill të vitit 2026.
Sipas dokumenteve të depozituara në SHBA, Balkan Energy DMCC është klienti më i paguar i Ballard Partners. Vetëm në tremujorin e fundit të 2025-s ajo pagoi 750 mijë dollarë, shumë më e lartë se ajo që kompania teknologjike Palantir i pagoi të njëjtës firmë për gjithë vitin. Në fillim të vitit 2024 kompania kishte shpenzuar vetëm 25 mijë dollarë për lobim, përmes një firme tjetër ligjore.
Bilancet zyrtare tregojnë se Balkan Energy ka regjistruar humbje prej rreth 148 milionë lekësh, ose 1.6 milionë euro, në katër vitet e fundit së bashku. Kjo ngre pyetjen se si një kompani me humbje të vazhdueshme ka paguar rreth 160 milionë lekë për lobim brenda një viti.
Ballard Partners nuk është hera e parë që shfaqet në politikën shqiptare. Në vitin 2017 firma u regjistrua si agjent i huaj i Partisë Socialiste, e cila i paguante 20 mijë dollarë në muaj për komunikim me liderët amerikanë. Kjo ndodhi në kohën kur qeveria Rama përballej me presione nga Bashkimi Evropian dhe me kritika të opozitës për parregullsi zgjedhore.
Dokumentet tregojnë se lobistët e firmës, mes tyre Brian Ballard, Sylvester Lukis dhe Jasmine Zaki, e kanë përfaqësuar kompaninë te Departamenti i Shtetit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Zyra e Shtëpisë së Bardhë. Misioni i deklaruar ishte “ofrimi i asistencës dhe udhëzimit për depërtimin në tregjet e huaja të energjisë”.


