Kompania turke AYEN AS Energji nuk i ka dorëzuar shtetit shqiptar prej vitit 2014 energjinë elektrike që i detyrohet sipas kontratës koncesionare. Bëhet fjalë për 59.047 MWh, pra mbi 59 milionë kWh, që kompania duhet t’i japë shtetit si tarifë për shfrytëzimin e burimeve ujore. Vetëm gjatë 2025-s, detyrimi është shtuar me rreth 11 milionë kWh.
Sipas kontratës, AYEN duhet t’i dorëzojë shtetit pa pagesë 2,1% të prodhimit vjetor të hidrocentraleve që administron. Kompania ka tre HEC në lumenjtë Fan i Madh dhe Fan i Vogël, me kapacitet të instaluar 109 MW. Kontrata parashikon edhe mundësinë e shlyerjes së tarifës në vlerë monetare, por as kjo nuk ka ndodhur.
Çështja shfaqet në kohën kur vendi përballet me krizë energjetike. KESH ka kontraktuar 901.626 MWh për periudhën korrik-nëntor 2026, me një faturë prej 172,6 milionë eurosh. Çmimet e importit kanë shkuar nga rreth 125 euro/MWh në verë deri në 364,90 euro/MWh në kontratat e fillimit të nëntorit.
Me çmimin prej 125 euro/MWh, energjia e padorëzuar vlen rreth 7,4 milionë euro. Me çmimin e fundit të importit, vlera arrin rreth 21,5 milionë euro, pothuajse tri herë më shumë.
Në bilancin e vitit 2025, AYEN pranon se 2,1% e energjisë nuk është dorëzuar dhe e justifikon me faktin se “metodologjitë dhe kushtet e dorëzimit ende nuk janë përcaktuar”. Kompania nuk ka krijuar provigjione për këtë detyrim. Drejtuesit e saj argumentojnë se përmbushja nuk do të sillte barrë shtesë të konsiderueshme, pasi hidrocentralet janë tashmë në punë. Në bilanc thuhet gjithashtu se për shlyerjen nevojiten negociata ose një plan veprimi me autoritetin kontraktues.
Aktiviteti në Shqipëri rezulton fitimprurës për kompaninë. Sipas pasqyrave financiare, fitimi neto ishte rreth 1,04 miliardë lekë në 2025 dhe rreth 1,21 miliardë lekë në 2024. Prodhimi arriti në 342.103 MWh në 2024 dhe 301.742 MWh në 2025, ndërsa të ardhurat ishin rreth 3,45 miliardë lekë në 2024 dhe 3,11 miliardë lekë në 2025.
Kompanisë iu kërkua koment për energjinë e padorëzuar dhe mungesën e provigjioneve, por deri në publikim nuk ka dhënë përgjigje.


