Vlerë Gjakova është caktuar këshilltare për çështjet e medias pranë kryeministrit Edi Rama, sipas burimeve qeveritare. Në profilin e saj në LinkedIn ajo e quan veten “stratege për çështjet e medias”. Të njëjtat burime thanë se ajo e ka marrë zyrtarisht detyrën dy javë më parë.
Gjakova është lindur në Maqedoninë e Veriut dhe ka kaluar një kohë të gjatë në Kosovë. Tetë vjet më parë iu bashkua Vetëvendosjes së Albin Kurtit dhe në zgjedhjet e vitit 2019 ishte kandidate për deputete me siglën e kësaj partie. Këtë fakt e ka bërë publik vetë në rrjetet sociale. Në të shkuarën ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe në Shqipëri, ndërsa ka qenë pjesë e rubrikës “Rrethi Katror” në emisionin “E Diell” në Top Channel, nën moderimin e Edi Manushit.
U bë e ditur edhe një e-mail i dërguar nga Vilma Guri, shefe e kabinetit në kryeministri, sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, me të cilin njoftohet roli i Gjakovës. Në të kërkohet që këshilltarët e medias të çdo ministrie të zhvillojnë takime me të, për t’i paraqitur strategjitë e komunikimit.
Në LinkedIn ajo e përshkruan veten si stratege komunikimi, eksperte e energjisë së rinovueshme dhe publiciste me 18 vjet përvojë në strategjitë e medias dhe marrëdhëniet me publikun. Sipas burimeve të hapura, ka një master në Filozofi dhe Psikanalizë pranë Qendrës Kërkimore për Filozofinë Greke dhe një tjetër në Metafizikë, Epistemologji, Filozofi Morale dhe Politike në Universitetin Aristotel të Selanikut. Studimet bachelor i ka kryer në Komunikim dhe Gazetari në Institutin Maqedonas për Media, përfshirë studime në Ekonomi dhe Tregti Ndërkombëtare.
Më parë ka punuar si strategjiste komunikimi dhe eksperte e energjisë së rinovueshme, me fokus te qytetet e zgjuara e të gjelbra dhe ekosistemet digjitale. Ka qenë zëdhënëse dhe përgjegjëse për PR në EVN Maqedoni. Përvoja e saj përfshin punën me Komunën e Çairit, OJQ-në VEPRO! (ACT), Coca-Cola Kosovo dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN). Ajo është aktive si aktiviste për të drejtat e njeriut e ato civile, feministe dhe publiciste, dhe ka shkruar për platforma si Observatori Evropian i Gazetarisë.


