Vlerë Gjakova është caktuar këshilltare pranë Kryeministrisë, me përgjegjësi për median dhe strategjinë e komunikimit të institucioneve qeveritare. Emërimin e ka bërë kryeministri Edi Rama, ndërsa Gjakova e ka nisur zyrtarisht detyrën rreth dy javë më parë, sipas informacioneve nga burime qeveritare.
Me një email drejtuar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, Vilma Guri, sekretare e përgjithshme në Kryeministri, ka kërkuar që këshilltarët e medias në çdo dikaster të takohen me Gjakovën. Ata duhet t’i paraqesin asaj strategjitë përkatëse të komunikimit, me synim koordinimin e komunikimit institucional në nivel qeveritar.
Gjakova është e lindur në Maqedoninë e Veriut dhe ka një përvojë të gjatë profesionale në Kosovë. Në profilin e saj në LinkedIn prezantohet si strategiste e medias dhe e komunikimit, me 18 vite përvojë në strategji mediatike, komunikim dhe marrëdhënie me publikun. Ajo e përshkruan veten edhe si eksperte të energjisë së rinovueshme dhe publiciste.
Ajo është shfaqur në hapësirën publike si komentuese e zhvillimeve politike në Kosovë dhe Shqipëri, përfshirë rubrikën “Rrethi Katror” në emisionin “E Diell” në Top Channel, të moderuar nga Edi Manushi. Rreth tetë vite më parë iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, të drejtuar nga Albin Kurti, dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 kandidoi për deputete me këtë parti, siç ka bërë të ditur vetë në rrjetet sociale.
Gjakova ka diplomuar në Komunikim dhe Gazetari në Institutin Maqedonas për Media dhe ka studime në Ekonomi dhe Tregti Ndërkombëtare. Ajo ka një master në Filozofi dhe Psikanalizë pranë Qendrës Kërkimore për Filozofinë Greke dhe një tjetër në Metafizikë, Epistemologji dhe Filozofi Morale e Politike në Universitetin Aristotel të Selanikut.
Në karrierë ka punuar në sektorin publik, atë privat dhe në shoqërinë civile. Ka qenë zëdhënëse dhe përgjegjëse e marrëdhënieve me publikun në EVN Maqedoni, ka pasur angazhime me Komunën e Çairit dhe me organizatën VEPRO! (ACT), si dhe bashkëpunime me Coca-Cola Kosovo dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN). Ajo ka shkruar edhe për Observatorin Evropian të Gazetarisë dhe është angazhuar për të drejtat e njeriut, të drejtat civile dhe lëvizjen feministe.


