e hënë, 2 nëntor 2026 1 denoncim këtë javë Lajmi siç është
Lajme

Nga 1 janari nis kontrolli me radarë inteligjentë në 14 segmente rrugore, afro 200 km nën mbikëqyrje

Nga 1 janari pritet të nisë operimi i radarëve inteligjentë në 14 segmente rrugore me gjatësi rreth 200 kilometra. Policia ka nisur trajnimin e efektivëve që do t'i ndjekin shkeljet nga Qendra e Monitorimit të Trafikut.

Radar dhe kamera monitorimi të trafikut në një rrugë kryesore

Radarët inteligjentë dhe sistemet e avancuara të monitorimit pritet të nisin punën nga 1 janari në akset kryesore rrugore të vendit, me synim evidentimin e shkeljeve. Faza e parë përfshin 14 segmente me një gjatësi totale prej afro 200 kilometrash.

Pajisjet janë instaluar disa muaj më parë në disa nga rrugët më të frekuentuara, ndërsa tani po përfundojnë përgatitjet për vënien e tyre në funksion. Kanë nisur trajnimet për një grup efektivësh të Policisë së Shtetit, që do t’i interpretojnë të dhënat e regjistruara nga radarët drejtpërdrejt nga zyrat e Qendrës së Monitorimit të Trafikut.

Policët do të kenë në dispozicion sisteme inteligjente për të identifikuar shkeljet dhe për të ndjekur në kohë reale lëvizjen e mjeteve. Për efektivët që do të angazhohen në këtë detyrë parashikohet edhe një rishikim page, që sipas informacioneve mund të arrijë deri në 1800 euro.

Teknologjia e re bazohet në sisteme kombëtare mbikëqyrjeje tokësore, detare dhe ajrore, me pajisje stacionare dhe të lëvizshme. Radarët mund të regjistrojnë dhe transmetojnë të dhëna për pozicionin, kursin, shpejtësinë, kohën dhe përmasat e objektivit. Kamerat do të fotografojnë e filmojnë lëvizjen e automjeteve, duke krijuar një bazë të dhënash për shkeljet. Sistemi parashikon edhe integrimin e kamerave me rreze aktive, sensorëve dhe pajisjeve me frekuenca radioje.

Lista përfshin akset që lidhin Tiranën me Durrësin (32 km, nga Sheshi Shqiponja te Mbikalimi i Portit), Elbasanin (26.4 km, nga TEG-u në Bradashesh), Fierin dhe Vlorën, si dhe segmente në zonat e Kavajës, Rrogozhinës dhe Lushnjës. Përmenden gjithashtu Durrës–Plazhi i Unazës (5.9 km), Durrës–Kavajë (9.81 km), Unaza e Kavajës (7.89 km), Kavajë–Rrogozhinë–Lushnjë (13.9 km), Unaza e Lushnjës (4.62 km), Lushnjë–Fier (20 km), Unaza e Fierit (21.5 km) dhe Fier–Vlorë (24 km).

Në listë janë edhe Vorë–Ahmetaq (6.52 km), segmenti Qafë-Kashar–Rinas–Ahmetaq (9.59 km) si dhe kryqëzime e rampa lidhëse me gjatësi 5 km.

Me monitorimin nga qendra operative synohet që kontrolli të mos varet vetëm nga patrullat në terren, por edhe nga teknologjia që dokumenton lëvizjen e automjeteve. Rreth 200 kilometrat e parë janë faza fillestare e një sistemi më të gjerë, që synon të përfshijë gradualisht akse të tjera.