Banka Kombëtare e Serbisë ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar kundër ALTA Bankës dhe disa personave përgjegjës të saj, ndërsa hetimet për dyshimet e transferimeve të parave jashtë vendit kanë nisur. Banka është në pronësi të biznesmenit Davor Macura, i cili raportohet se ka lidhje të afërta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Prokuroria kishte kërkuar më 27 tetor të dhënat për të gjitha transaksionet drejt vendeve të huaja. Më 29 tetor kërkesa u zgjerua, duke përfshirë konvertimin e valutave dhe daljen e fondeve nga llogaritë e bankës. Një ditë më pas, Prokuroria iu drejtua Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar, me kërkesë për verifikimin e aktivitetit të bankës dhe të personave përgjegjës në Bankën Qendrore.
Sipas mediumit serb “Vreme”, avokati Ivan Niniq kishte ngritur më herët shqetësime për një proces të përshpejtuar të transferimit të kapitalit jashtë Serbisë, drejt llogarive dhe personave juridikë në Moskë dhe Shkup. Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Srdan Milivojeviq, pretendoi se ishte përgatitur dërgimi i 50 milionë eurove nga ALTA Banka te një institucion financiar jashtë vendit.
Opozita në Maqedoninë e Veriut kërkoi sqarime nga autoritetet e vendit, duke dyshuar se territori i saj mund të përdorej si pikë tranziti për paratë drejt Moskës. Banka Kombëtare e Serbisë kishte deklaruar më parë se pretendimet e pakonfirmuara për transferime të dyshimta mund të shkaktonin shqetësim të pajustifikuar te publiku. Deri tani, destinacioni përfundimtar i 50 milionë eurove nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Pas revokimit të licencës, procedurat e falimentimit do t’i administrojë Agjencia e Sigurimit të Depozitave, me vendim gjykate. Banka Qendrore garantoi se depozitat e siguruara, deri në 50 mijë euro për çdo depozitues, mund të tërhiqen sipas procedurave përkatëse, ndërsa klientët do të njoftohen se në cilën bankë mund t’i marrin paratë. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse janë kryer transferime të paligjshme dhe kush mban përgjegjësi.


