Avokati Plarent Ndreca ka denoncuar se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i ka çuar kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një ultimatum në emër të kryeministrit Edi Rama në burgun e Fierit. Sipas tij, Veliaj është kërkuar të dorëzojë mandatin, t’ua delegojë kompetencat njerëzve të caktuar nga Rama dhe të largojë avokatin e tij.
Sipas denoncimit, ministri ka mbërritur me urgjencë në burg mbrëmjen e së premtes, më 30 tetor, dhe ka hyrë pa u regjistruar. Ai i ka thënë Veliajt se po përcillte tekstualisht porosinë e kryeministrit, i cili nga ai çast do t’i drejtohej vetëm si kryeministër. Në rast refuzimi, Veliaj është kërcënuar me transferim në burgun 302 dhe me hetime të reja nga SPAK për minim të rendit kushtetues.
Avokati Ndreca tha se Veliaj nuk e ka pranuar ultimatumin dhe ka përgjigjur menjëherë: “dhe sikur 100 vite burg të bëj, nuk ja marr fytyrën fëmijëve të mi”. Takimi ka zgjatur vetëm pak minuta. Për dy ditë Veliaj nuk ka pasur mundësi ta bënte të ditur ngjarjen, ndaj ajo u publikua të hënën, pasi avokati e takoi në burg.
Veliaj është në paraburgim që nga shkurti i vitit 2025 dhe ka refuzuar të japë dorëheqjen. Në mars të vitit 2025 ai firmosi nga qelia emërimin e Sara Goxhajt si nënkryetare në vend të Anuela Ristanit, por u tërhoq brenda 24 orëve, duke thënë se nuk kishte pasur informacion të mjaftueshëm. Në shtator të po atij viti, Këshilli Bashkiak votoi shkarkimin e tij, ndërsa Rama kishte shpallur Ogerta Manastirliun kandidate për zgjedhjet e pjesshme. Gjykata Kushtetuese e ktheu Veliajn në detyrë.
Marrëdhënia mes tyre u acarua më 26 tetor, kur Veliaj përshëndeti fitoren e Listës Studentore ndaj Aleksandër Vuçiçit në Serbi dhe shkroi se protestat studentore janë “fundi i ‘një bote'”. Dy ditë më vonë, më 28 tetor, ai u transferua papritur nga Durrësi në Fier. Drejtoria e Burgjeve e justifikoi lëvizjen me masa sigurie dhe e cilësoi urdhrin “sekret shtetëror”, ndërsa Veliaj e quajti “rrëmbim policor” dhe kërkoi dokumentacionin për ta ankimuar.
Më 30 tetor, Veliaj shkarkoi nënkryetarët Vasilika Vjero dhe Ilir Mëngra dhe emëroi Etleva Bishën. Po atë mbrëmje, sipas denoncimit të konfirmuar nga avokati, ministri Gogu shkoi në burgun e Fierit për të përcjellë ultimatumin e pretenduar.


