Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha në Komisionin e Ekonomisë se ligji për bastet sportive online po rishikohet edhe një herë, ndaj hapja e tregut do të shtyhet. Ligji u miratua në shkurt të vitit 2024, aktet nënligjore kanë përfunduar, por gara për 10 licencat nuk është hapur ende.
Çështja u ngrit në komision nga Igli Cara, i cili foli për informalitetin në treg. “Prej 7 vitesh në buxhet të shtetit nga bastet nuk ka fituar, nuk i keni të ligjëruara, dhe sot është plotësisht informal dhe të gjithë këtë faturë po ja faturoni biznesit të ndershëm”, deklaroi ai.
Malaj pranoi se kuadri ligjor është plotësuar. “Ne kemi mbaruar të gjithë kuadrin ligjor sa i përket basteve online, VKM-të respektive. Qeveria po e rishikon edhe një herë ligjin për të pasur një mbikëqyrje të kujdesshme për të mos pasur probleme sociale. Pasi të mbarojë rishikimi i ligjit aktual do të fillojë operimi i lojërave të fatit”, tha ministri.
Në shkurt 2024 mazhoranca miratoi rikthimin e basteve, por vetëm në formatin online. Ligji parashikon një treg të kufizuar me 10 licenca dhe kërkon identifikimin e pjesëmarrësve me dokumente identiteti. Pikat fizike të basteve ishin mbyllur më 1 janar 2019.
Malaj nuk sqaroi nëse rishikimi do të prekë numrin e licencave, kriteret e përzgjedhjes, detyrimet financiare apo vetëm mekanizmat e kontrollit dhe mbrojtjes sociale. Nëse nevojiten amendamente, ato duhet të kalojnë edhe në Kuvend, ndërsa Ministria e Financave nuk ka caktuar ende datë për nisjen e operimit.
Ndërkohë, aktiviteti vazhdon jashtë sistemit të licencimit dhe shteti nuk mbledh të ardhura nga operatorë të ligjshëm. Deri në përfundimin e rishikimit, 10 licencat mbeten pa konkurrim dhe nuk ka afat publik për zbatimin e ligjit.


