e shtunë, 31 tetor 2026 0 denoncime këtë javë Lajmi siç është
Drejtësi

GJKKO heq ndalimin e daljes jashtë vendit për Leonidha Çobon, ish-CEO e Bankers Petroleum

Gjykata e Posaçme ka hequr masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit për Leonidha Çobon dhe i ka lënë vetëm detyrimin për paraqitje.

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka vendosur t’i heqë masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit Leonidha Çobos, ish-CEO së Bankers Petroleum. Ai mbetet vetëm me masën e “detyrimit për paraqitje”.

Sipas të dhënave nga hetimet e Prokurorisë dhe auditimet tatimore, çështja lidhet me shmangie të pretenduar fiskale të kompanisë, me dëm mbi 340 milionë euro për shtetin shqiptar.

Shifrat e dëmit të pretenduar

  • Mbi 330 milionë euro tatim-fitim i shmangur: gjatë 20 viteve operim, kompania pretendohet se realizoi xhiro bruto mbi 5 miliardë dollarë (532 miliardë lekë), por deklaroi 11.7 miliardë lekë humbje përmes shpenzimeve të fryra.
  • Mbi 10.5 milionë euro mashtrim me TVSH-në: hetimi dyshon për përdorim të skemave me fatura fiktive.

Aktivitetin e kompanisë e kryente në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Çobo dyshohet edhe për pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave, ndërsa dosja është ende në shqyrtim nëpër shkallët e gjykatave.

Vendimi ka ngjallur kritika për standardin e drejtësisë ndaj bizneseve të mëdha, por çështja nuk është e mbyllur dhe vlen prezumimi i pafajësisë.