Dorëheqjet e drejtuesve të institucioneve në varësi, të kërkuara nga kryeministri Edi Rama, nuk kanë sjellë ndryshime të dukshme në krye të disa prej institucioneve kryesore, edhe pse afati i raportuar për procesin ishte e hëna, 26 tetor.
Sipas verifikimit të Vox News, drejtorët kanë dorëzuar letrat e dorëheqjes, por shumë prej tyre vijojnë të ushtrojnë funksionet. Qeveria ende nuk ka publikuar listën përfundimtare të dorëheqjeve të pranuara, të drejtuesve që janë larguar dhe të emrave që do t’i zëvendësojnë.
Çfarë tregojnë faqet zyrtare
- Ilir Binaj: më 23 tetor u raportua dorëheqja e tij si drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, por faqja e Administratës Tatimore e paraqet ende në këtë post.
- Besmir Beja: ishte mes tre drejtuesve për të cilët u raportua dorëheqja më 23 tetor, por faqja e Administratës Doganore e ka ende drejtor të Përgjithshëm të Doganave.
- Viola Haxhiademi: është përfshirë në listën e drejtuesve që u kërkua të japin dorëheqjen dhe figuron ende në faqen e KESH-it si administratore, megjithëse SPAK e ka marrë të pandehur.
- Marjeta Përlala: vijon të figurojë drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
- Sadleva Bodo: drejtoresha e Burgjeve është ende në krye të institucionit dhe sot ky institucion mori vendim për transferimin e Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Deri më 28 tetor, faqet zyrtare të këtyre institucioneve nuk tregojnë ndryshim drejtuesi.
Rivlerësim në vend të largimeve
Vetë Rama kishte thënë se drejtuesit do të qëndronin në detyrë dhe më pas do t’i nënshtroheshin një procesi rivlerësimi të performancës. Tani flitet për rivlerësim dhe mundësi rikonfirmimi ose rehabilitimi, jo për një valë të menjëhershme zëvendësimesh.
Më 22 tetor, Vox News kishte raportuar se ministrat u kishin mbledhur drejtuesit e institucioneve në varësi dhe se procesi duhej të mbyllej brenda 26 tetorit. Sipas medias, nëse shumica rikonfirmohen, mbetet pyetja se çfarë ka ndryshuar realisht në administratë.