e diel, 1 nëntor 2026 0 denoncime këtë javë Lajmi siç është
Kronikë

Plaka në Athinë: tre të dyshuar për shpërthimin vdekjeprurës, po hetohet kush preu tubin e gazit

Hetuesit grekë kanë nxjerrë nga rrënojat matësin dhe tubat e gazit pas shpërthimit në Plaka, ku mbetën të vdekur gjashtë persona. Tre të arrestuarit pranojnë se duken në kamera, por fajësojnë njëri-tjetrin.

Rrënoja pas një shpërthimi gazi në qendër të Athinës, ku hetuesit grekë po punojnë

Shpërthimi në zonën e Plakës në Athinë, që pagoi me jetën gjashtë persona, po hetohet nga autoritetet greke. Tre të dyshuar, një shqiptar 34-vjeçar dhe dy grekë, akuzohen në lidhje me vjedhjen e një tubi gazi natyror, e cila dyshohet se shkaktoi rrjedhjen.

Mediat greke kanë publikuar fotografi të tubave të dëmtuar gjatë vjedhjes, me pikat ku kanë ndërhyrë autorët e dyshuar.

Çfarë gjetën ekspertët

Specialistët e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Zjarrit nxorën nga rrënojat të gjithë mekanizmin, përfshirë matësin e gazit dhe tubat përreth. Analiza veçoi dy pika: vendin ku tubi ishte prerë për t’u vjedhur dhe një segment tjetër, ku dëmtimi shkaktoi rrjedhjen e gazit.

Të dyshuarit fajësojnë njëri-tjetrin

Të tre pranojnë se janë personat që shihen në kamerat e sigurisë duke hyrë në ndërtesë. Nuk bien dakord, megjithatë, se kush e preu tubin.

Sipas mediave greke, 55-vjeçari grek pretendon se tubin e ka prerë shqiptari. Ky i fundit ia vë fajin 55-vjeçarit. I treti dyshohet se kishte rolin e vëzhguesit gjatë vjedhjes.

Precedentët me policinë

Sipas të dhënave të hetimit, të tre kanë histori të gjatë me autoritetet. Njëri grek është evidentuar rreth 45 herë nga viti 1985 deri në 2026, tjetri 13 herë, ndërsa shqiptari mbi 20 herë nga viti 2019 deri në 2026. Gjithsej janë rreth 80 raste, kryesisht për vjedhje, grabitje dhe narkotikë.

Ndaj tyre janë ngritur akuza të rënda, mes tyre për shpërthim dhe zjarrvënie me pasojë vdekjen e njerëzve, si dhe për vrasje me dashje eventuale, në bashkëpunim.